Dekra

Rreth DEKRA Akademie

E ardhmja nga tradita!

 

Akademia DEKRA është një ndër ndërmarrjet më të mëdha private të formimit profesional në Gjermani. Çdo vit,  më shumë  se 100.000 njerëz i besojnë aftësisë sonë për t‘a kthyer cilësinë më të lartë të shkollimit dhe formimit të mëtejshëm profesional që ne ofrojmë, në një sukses konkret. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për vende të reja pune, hapa përpara në karrierën profesionale në ndërmarrje, apo kualifikime  të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, klientët tanë mund të kenë besim të plotë tek ne në menaxhimin e plotë të suksesit të tyre.

Me 150 filiale të shpërndara në mbarë territorin e Republikës Federale Gjermane ne kujdesemi që cilësia e lartë në formimin profesional, nga njëra anë, dhe efiçenca, nga ana tjetër, të mos e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi: Falë mjeteve dhe metodave  moderne  të mësimdhënies, ne mundemi që t’i trajtojmë me përgjegjësi nevojat e klientëve tanë në situatat e tyre konkrete jetësore e ato të karrierës profesionale.

Kush vendos të rritet më tej profesionalisht pranë Akademisë DEKRA, ka në dorë të zgjedhë: Nëse do të vijojë me trainime që lidhen me fushën e web-it apo të atyre që lidhen me fushën kompjuterike,  nëse parapëlqen klasat virtuale apo prezencën fizike në mësimdhënie në një klasë tradicionale,  nëse vendos të mësojë në njërin nga filialet tona apo në kompiuterin e shtëpisë së vet, me kohë të plotë apo të pjesshme  (pa shkëputje nga puna),  më shumë se 1 000 trainues me eksperiencë janë të gatshëm të gjejnë për secilin individualisht, rrugën e tij më të favorshme të formimit apo shkollimit.

Falë këtyre aftësive ne operojmë prej  40 vitesh si një partner i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në shkollimin dhe formimin profesional në fushën e ekonomisë dhe sektorin publik. Kjo traditë na ngarkon me përgjegjësi për t‘u përballur vazhdimisht me sfidat e të ardhmes: Ne i përgjigjemi në mënyrë fleksibël kërkesave aktuale të tregut të punës, njohim trendet dhe gjithashtu zhvillojmë teknikat dhe mjetet tona didaktike. Në këtë mënyrë, ne sigurojmë të ardhmen profesionale të njerëzve që na besojnë.

Aftësitë e veçanta bazë të Akademisë DEKRA, qëndrojnë tradicionalisht në fushat e transportit, magazinimit dhe logjistikës për transportin e mallrave të rrezikshme. Për këtë, kujdeset çdokush që bën pjesë në grupin DEKRA. Pjesë e DEKRA janë më shumë se njëqind shoqëri ′′bija′′ dhe aksionerë në investime për të sjellë më shumë siguri dhe cilësi në përballjen e njeriut me teknikën, mjedisin dhe mobilitetin. Aksesi në këtë fushë dhe rrjet njohurish u ofron klientëve tanë avantazhe të dukshme dhe të matshme, qoftë në cilësinë e shkollimit e formimit profesional, ashtu edhe në posedimin e praktikave profesionale dhe sigurimin e vendeve të punës.

Ndërkaq, ky trend prek edhe shumë fusha të tjera profesionale, në të cilat ne po zhvillojmë aktualisht aftësitë tona bazë, duke i vendosur ato në dispozicion të klientëve tanë. E ardhmja është tradita jonë!

DEKRA Akademie e zhvillon aktivitetin e saj Në Shqipëri prej vitit 2015 në fushën e infermierisë dhe në fushën e hoteleri – turizmit dhe së shpejti edhe në fushën e Teknologjisë së Informacionit.

Në fushën e infermierisë duke trainuar infermierë të diplomuar për gjuhën gjermane, për licensimin si infermier në Gjermani, për sigurimin e kontratave të punës, si edhe mbështetje në procesin e transferimit, integrimit dhe fillimit të punës në Gjermani.

Aktualisht janë rreth 1000 infermierë, të cilët po trainohen dhe rreth 300 janë të punësuar në Gjermani.

Në fushën e hoteleri – turizmit DEKRA Akademie ka operuar me projektin pilot ALBtrainer financuar nga Ministria Gjermane e Zhvillimit Ekonomik dhe Sequa GmbH SRH, një program me kohë të pjesshme arsimimi dhe trainimi të mëtejshëm të personave që punojnë në industrinë e turizmit shqiptar.

Pas projektit të suksesshëm për punësimin e infermierëve shqiptarë në shtetin gjerman, DEKRA Akademie vjen me një projekt tjetër po kaq të rëndësishëm në fushën e Teknologjisë së Informacionit.                    

Projekti fillon zyrtarisht në vjeshtën e këtij viti dhe ndërkohë aplikimet kanë filluar.

 

Mund të aplikojë kushdo që është i diplomuar në një nga degët e Teknologjisë së Informacionit(Inxhinieri Informatike, Inxhinieri Elektronike, Inxhinieri Telekomunikacioni, Informatikë, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Inxhinieri Matematike dhe Informatike, Informatike Ekonomike) përfshirë edhe nxënësit e shkollave të mesme profesionale të drejtimit teknik IT (Shkolla e Mesme Profesionale TIK “Hermann Gmeiner”, Instituti Harry Fultz).

Për një periudhë prej 18 muajsh aplikanti do ti nënshtrohet mësimit të gjuhës gjermane dhe trajnimit profesional në Cyber Security.

Aplikoni duke dërguar CV-në tuaj në formatin Europass në adresën e emailit:

cybersecurity.al@dekra.com